Report TV - Sezoni veror/ Akset më ploblematike në Durrës që duhet të shmangni

2019-07-22 0

Policia e Durrësit ka organizuar një plan masash për garantimin e jetën të pushuesve shqiptarë e të huaj, si dhe për parandalimin e aksidenteve rrugore kryesisht në disa nga akset rrugore që për policinë konsiderohen si më problematiket.

Në një prononcim për mediat, kreu i Policisë Rrugore në Durrës, Valentin Florini shprehet se si akse më problematike janë ato Maminas-Gjiri i Lalzit, Fushë-Krujë e Thumanë.

"Akset kryesore dhe më problematike janë Maminas-Gjiri i Lalzit, Maminas-Unaza e Shkozetit, Plepa-Golem- Ura e Gjoles, Fushë Krujë-Thumanë. Në këto akse janë me shërbim të përforcuara dhe monitorim për menaxhimin e trafikut", tha ai.

Sipas zyrtarit të policisë, këto masa janë ndërmarrë për të parandaluar dhe ulur numrin e aksidenteve.

"Gjithë këto masa janë marrë për të ulur dhe parandaluar numrin e aksidenteve. Krahasuar me 6-mujorin e vitit 2018 kemi një ulje të numrit të aksidenteve mbi 40%, nga 102 aksidente që ishin një vit më parë kemi 60 aksidente dhe kjo ka ardhur si shkak i një analize që ka bërë policia e Durrësit dhe vendosja e shërbimeve në ato "njolla të zeza", tha kreu i Policisë Rrugore në Durrës, Valentin Florini.

Kreu i Policisë Rrugore Durrës, i bën apel të gjithë drejtuesve të tregojnë kujdes gjatë kohës që udhëtojnë, jo vetëm me shpejtësinë tej normave të lejuara, por edhe në përdorimin e celularit.