Pas Kryemadhit, edhe Basha i bindet Metës 3 zgjedhje më 13 tetor

2019-07-16 0

TIRANË - Teksa kriza politike vijon të jetë pa zgjidhur në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, këtë mëngjes i ka shkuar në zyrë presidentit Ilir Meta.

Siç raporton gazetari i Report Tv, Elis Memelli, takimi mes tyre ka zgjatur përreth 40 minuta, një takim pa praninë e mediave.

Menjëherë pas bisedës me kreun e shtetit, lideri demokrat Lulzim Basha ka shkuar në seli, atu ku ka thirrur në takim krerët e partive aleate.

Opozita e cila ka dalë nga parlamenti duke nisur më tej valën e protestave antiqeveritare, bojkotoi edhe zgjedhjet e 30 qershorit, për të cilat po bën çmos për të mos i njohur, edhe pse faktori ndërkombëtar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kanë certifikuar. Hapi i radhës që opozita po përpiqet të ndjekë është të mos lirojë zyrat nga kryebashkiakët aktualë të PD-së dhe LSI-së në disa bashki, për t'i dorëzuar detyrën drejtuesve të rinj vendorë të zgjedhur më 30 qershor, tashmë në proces certifikimi nga KQZ dhe nga Gjykatat që vërtetojnë mandatin e tyre.

Presidenti Ilir Meta nga ana e tij ka shpallur 13 tetorin si datë të zgjedhjeve vendore, duke mos e njohur 30 qershorin. Nuk dihet se si do të vijojë ky proces, por opozita dhe Presidenti tashmë janë duke diskutuar për hapat e radhës të aksionit të tyre.

Mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta përmes një komisioni parlamentar hetimor, por kreu i shtetit ka deklaruar se nuk e lëshon karrigen e Presidentit deri në 2022 kur përfundon mandati i tij i plotë.