Opozita joparlamentare mbylli pa asnjë incident dhe pa dhunë protestën e dhjetë kombëtare kundër qeverisë, që zgjati përreth 2 orë.
Lideri demokrat Lulzim Basha mbajti një fjalim para sipmatizantëve mbledhur tek kryeministria, ku tha se nuk do të ketë më marrëveshje dhe pazare politike për të dalë nga kriza. Zgjidhja - siç tha ai do të vijë vetëm me ndëshkimin e përgjegjësve për shit-blerje votash.Â
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte në protestë shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Gjatë fjalimit, kryedemokrati i quajti farsë zgjedhjet e mbajtura më 30 qershor, por nuk përmendi asnjë fjalë për dekretet e Presidentit Ilir Meta. Ndryshe u shpreh kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Për të, dekreti i Presidentit Meta për zgjedhje vendore më 13 tetor, është ligj. Megjithatë, ajo u tregua dyshuese nëse zgjedhjet do të mbahen më këtë datë, pasi siç ajo theksoi KQZ nuk ka nisur asnjë proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i vetmi institucion per administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Në mes të këtyre divergjenvace politike mes opozitës të bashkuar, pjesëmarrja ishte më e ulët se në tubimet e tjera anti-qeveritare të nisura prej muajit shkurt.
Në një fjalim përmbyllës në selinë blu, Basha nuk la të qartë nëse do të ketë protesta të tjera. Ai foli vetëm për një aksion të ngjeshur politik  "për t'i dhënë formën, thelb, dhe besueshmëri ndryshimit të vërtetë për cdo shqiptar", siç ai u shpreh, që më shumë u duk si fitim kohe që shtatori ta gjejë opozitën më të organizuar.
Ndërkombëtarët paralajmëruan opozitën se nëse do të kishte dhunë, udhëheqësit politikë do të mbanin përgjegjësi.