Shkarkimi/ Meta 3 muaj në hetim! Rama: I çoroditur nga drejtësia, hakërrues që duhet ndalur!

2019-07-09 0

TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë me 101 vota pro dhe 6 kundër votoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat fillimisht i anuloi dhe më tej shpalli një datë të dytë për to, 13 tetorin. Ndërkohë, raporti i komisionit të Ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës mori 102 vota pro, 7 deputetë nga opozita e re votuan kundër, ndërsa pati edhe dy abstenime.

Duke e vlerësuar këtë akt në shkelje të rëndë të kushtetutës, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, tha se Presidenti e ka mbushur kupën dhe duhet të ishte shkarkuar me kohë. Megjithatë tha Rama, kjo do të ndodhë vetëm pasi komisioni hetimor të bëjë punën e tij.

Referuar pjesëmarrjes në votimet e 30 qershorit, 22.9%, kreu i qeverisë tha se se mungesa e besimit të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe shkak i ndërhyrjes së Metës në proces me anë të dekretit të tij, por edhe sulmeve të dhunshme të opozitës deri pak para ditës së zgjedhjeve. Rama u shpreh se opozita me rrugën që ka nisur edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2021-shit nuk ka shanse të fitojë.

Shefi i mazhorancës tha se Meta është një armi i hershëm i mazhorancës, por tashmë është kthyer edhe në një armik të Kushtetutës dhe parlamentit. Frika e Presidentit Meta, sipas Ramës, është reforma në drejtësi duke e quajtur "vetë shëmbëlltyrën e tërbimit të të tremburve nga drejtësia" Ai e etiketoi Presidentit si një njeri të çoroditur hakërrues dhe qesharak dhe që duhet të hetohet nga Parlamenti.

Komisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re. Në krye të komisionit hetimor është kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Free Traffic Exchange