Kryeministri Edi Rama tha se me veprimet që ka bërë duke zhdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit e duke caktuar më tej 13 tetorin si datë për mbajtjen e tyre, është një aset për mazhorancën, pasi sipas tij, edhe të pakënaqurit me PS-në, duke parë sjelljen e kreut të shtetit, nuk do ta çonin votën për tjetër parti veç PS-së.
"Në kushtet kur 30 qershori i ka mbijetuar agresionit më të egër, më të turpshëm, antidemokratik që politika ka ndërmarrë ndonjëherë 30 vitet e fundit kundër interesit kombëtar, Ilir Meta do ishte politikisht për ne një kundërshtar që nuk duhet ndaluar të gabojë më tutje. Ashtu i dizekuilibruas prej frikës nga drejtësia, i çoroditur prej disfatës së operacionit antikombëtar, hakërrues dhe qesharak, ai është sot një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse. Me atë lloj figurine kërcënuese në presidencë edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do trembeshin ta çonin votën tjetërkund pas 2 vitesh", tha Rama.
E megjithë favorin që Meta me veprimet e tij i bën vetë mazhoranvës, kreu i qeverisë tha se ai duhet ndalur për vetë dëmin që i ka bërë kushtetutës dhe demokracisë.
"Ne jemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një gogozhel për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Metën të gabojë më tej. Se dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm se çdo kalkulim elektorale, Ilir meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky kuvend dhe reagimi jonë si deputetë duhet të jetë frontal, ne emër të kushtetutës, demokracisë dhe dinjitetit të shtetit shqiptar. Duhet të na bashkojë një emërues pavarësisht cdo interesi politik që natyrshëm na ndan. Meta nuk është më thjesht kundërshtar i qeverisë, është armiku i hapur i kushtetutës. Është armiku i deklaruar i parlamentit. Nuk është më politikani i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi, është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia", tha shefi i mazhorancës.