Në bindjen e saj Presidenti Ilir Meta me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat u mbajtën nga mazhoranca dhe u njihën edhe nga SHBA, BE e ndërkombëtarët, është në shkelje të kushtetutës. Megjithatë, Rudina Hajdari thotë se vendimi përfundimtar i takon gjykatës kushtetuese dhe se presidenti Ilir Meta duhet të vijë në parlament për të treguar arsyet përse e mori atë vendim.
"Duke e parë në parim duket që presidenti e ka shkelur Kushtetutën. Por ky është një proces i gjatë, nuk mund të vendoset me një laps. Presidenti duhet të vijë në parlament të tregojë arsyet e veta përse e bëri", tha Hajdari.
E ftuar në Repolitix përballë gazetarit Denis Minga, kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari komentoi edhe deklaratën e presidentit Meta për mos njohjen si legjitim të parlamentit me opozitën e re që mori mandatet pas largimit të PD-së, LSI dhe aleatëve.
"Presidenti nuk është Gjykata Kushtetuese ta marrë këtë vendim me mendjen e tij, ishte një deklaratë e papërshtatshme për një president. ai duhet të reflektojë dhe të mos vazhdojë me këtë retorike. se nuk i takon atij nëse këta deputetë janë apo jo legjitim", u shpreh kryetarja e grupit parlamentar demokrat.