Hajdari: PD po vuan pasojat e djegies së mandateve, nuk rrëzohet qeveria me sloganin 'Rama Ik'

2019-07-03 0

E ftuar në studion e Repolitix përballë gazetarit Denis Minga, kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari deklaroi se vendimi për djegien e mandateve u vendos shumë shpejt dhe nuk ishte vullnet i të gjithë deputetëve të saj por vetëm i disa prej tyre. Ajo deklaroi se pas këtij vendimi opozita pretendoi se do rrëzonte qeverinë, por siç shtoi ajo, kjo gjë nuk mund të arrihet vetëm me një slogan.

"Ka qenë një mbledhje grupi parlamentar demokrat në atë kohë. Nuk kam qenë në atë mbledhje. Ka qenë një situatë ku u vendos shumë shpejt. Nuk u komunikua me të gjithë deputetë. Vendimi i u mor në mënyrë të shpejtë dhe të pa konsultuar. Ne duhet të konsultohemi me partnerët tanë dhe nuk mund të themi se këto janë vendimet tona. Ja ku jemi sot. PD nuk u mbështet nga ndërkombëtarët. Beteja dështoi dhe jemi në një situatë kur PD duhet të reflektojë dhe të mos krijojë pritshmëri të tjera të larta. Kur dogjën mandatet thanë se do largojnë qeverinë me sloganin Rama ik, po nuk mund të rrëzohet një qeveri me një slogan. Demokratët duhet të jenë të vetëdijshëm se për këtë faji është i atyre pak personave që menduan se kështu mund të vihet në pushtet.

Nuk besoj se ishte një lëvizje diabolike. Lëvizja e forcoi mazhorancën. I dha 61 bashki. Nuk duhet ta kishin bërë këtë gjë. Kundërshtari mund të jetë më autokrati në 30 vitet e fundit. PD ka pasur dhe ka shqetësime legjitime, ishte lidhja e qeverisë me krimin e organizuar dhe përhapja e korrupsionit. ne nuk mund të rrinim symbyllur përpara këtij fenomeni dhe në këtë aspekt mendoj se opozita duhet të kishte luftuar akoma më shumë. Po të kishte qëndruar në parlament dhe të mos e braktiset elektoratin sepse janë shumë demokratë që nuk e kanë mbështetur vendimin për të djegur mandatet. Disa prej tyre kanë përshtypje më ekstreme se të tjerët. Mendoj se PD është në një fazë refleksioni dhe do ndihet akoma më shumë pasoja e vendimit që mori muaj më parë", tha Hajdari.