E ftuar në Repolitix, emisionin e moderuar nga Denis Minga në Report Tv, kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari, tha se me kërkesën e sotme në Konferencën e Kryetarëve për të shtyrë ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, nuk është kundër procedurës së nisur, por thjesht kërkon që situata politike të jetë me e qetë. Sipas saj, edhe Presidenti e meriton që të gjykohet në një proces pa ndikime politike dhe pa situata të tensionuara.
"Ka pasur një debat të hapur mes mazhorancës dhe presidentit që ka çuar në acarim të situatës. Për të qenë sa më të qetës dhe të gjejmë një zgjidhje sa më të mirë për atë shkelje që ne supozojmë është bërë me zhdekretimin, mendoj se ngritja e këtij komisioni duhet bërë në një situatë më normale. Nuk duhet të biem pre e lojës politike të mazhorancës që ajo kërkon të bëjë me presidentin. Unë e kam cilësuar si një vendim që mund të pështjellojë situatën. Nëse presidenti do shqyrtohej nga parlamenti që të shkarkohej nuk përbën problem nëse bëhet tani apo më vonë. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese përbën një nevojë imediate për shqiptarët, dhe këtë duhet të bëjmë tani. Ne nuk duhet të marrim hapa në momentin që gjërat janë të acaruara. Parlamenti duhet të jetë më serioz dhe nëse do e ngremë këtë emision hetimor, që në këtë rast duhet të ngrihet, nuk ka përse të ndodhë në këto kushte që jemi sot. Edhe presidenti e mendon një kusht normal pa paragjykime, pa presione të ndryshme të mazhorancës, që do të dalë para një komisioni hetimor. Ky komision duhet të prodhojë një raport pa prapavija politike.
Unë nuk e kam në dorë ta ndaloj këtë si proces se ka ardhur si nismë nga 55 deputetë të mazhorancës. Sipas rregullores, ka një afat të caktuar përsa i përket diskutimit me debat në parlament në lidhje me ngritjen e këtij komisioni. Në konferencën e kryetarëve sot, nuk dola kundër ngritjes së Komisionit, por mendova se zgjidhja e duhur, për shkak se nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese, pse jo mos ta shtyjmë. Sepse presidenti aty është fundja, dhe mund ta marrim këtë hap shumë qetë", tha Hajdari.