Më 8 korrik opozita në protestë! Kryebashkiakët e PD nuk i lirojnë zyrat dhe shkojnë kundër Bashës

2019-07-03 0

Demokratët rinisin protestat. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka caktuar 8 korrikun, ora 20:00 për mbajtjen e protestës së radhës, e dhjeta kombëtare kundër qeverisë. Vendimi u mor në një mbledhje që Basha pati me kryetarët e degëve të PD-së në rrethe. Por ndërkohë, një mbledhje e mbajtur më parë, në orën 16:00 ka pasur përplasje qëndrimesh mes kryedemokratit dhe keytarëve të bashkive zgjedhur nga PD, të cilët janë shprehur hapur kundër Bashës, ku kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre se duan të garojnë sërish në zgjedhjet e dekretuara më 13 tetor.

13 tetori është data e re që presidenti Ilir Meta ka dekretuar për zgjedhjet vendore të 2019-ës, një dekret i konsideruar nul nga mazhoranca që e çoi vendin në garë elektorale për kryebashkiakët më 30 qershor. Por edhe pse lideri demokrat Lulzim Basha e konsideroi nul 30 qershorin, ai refuzoi dekretin e Metës për 13 tetorin, duke thënë se problemi nuk është data, por fakti që zgjedhjet nuk duhet të mbahen me Ramën kryeministër dhe pa u vënë para drejtësisë personat e përfshirë në shit-blerje votash.

Në fakt, kundër këtij vendimi të Bashës, kanë dalë vetë kryebashkiakët e zgjedhur të PD-së të cilët thanë se nuk do t'i lirojnë zyrat të zgjedhurve të rinj socialistë nga 30 qershori dhe se duan të bëhen zgjedhje më 13 tetor.