Rama mbledh Kryesinë e PS: Analizë dhe asamble brenda korrikut

2019-07-03 1

Tre ditë pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit ku Partia Socialiste e Shqipërisë fito 60 bashki, kryeministri Rama mblodhi në seli kryesinë e kësaj partie.

"Do të kemi mbledhje dhe analiza me asambletë e PS-së në çdo bashki. Diskutim për rezultatet zgjedhore dhe ecurinë e procesit të konstituimit të këshillave bashkiakë dhe kryetarëve të rinj. Pas këtij procesi do të ketë mbledhje asambleje brenda Korrikut" mësohet se ka thënë ai.

Ndërkohë në mbledhjen e Kryesisë së PS është diskutuar edhe për hapat që do të ndërmerren për shkarkimin e Presidentit. Të hënën pritet të ngrihet edhe komisioni hetimor që do të përcaktojë nëse Presidenti Meta ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës me dekretin e nxjerrë për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit që në fakt u kryen pa incidente. Nëse Meta rezulton 'fajtor' atëherë do të vijohet me procedurat e mëtejshme për shkarkimin e tij.

Kujtojmë që ditën e djeshme presidenti, Ilir Meta bëri një propozim nga ana e tij për t'i dhënë një mundësi zgjidhje ngërçit politik të krijuar nga opozita. Meta propozoi që më 13 tetor Shqipëria të futej në tre palë zgjedhje, ato të përgjithshme, lokale si dhe ato për president.

Deri më tani kryeministri Rama nuk ka patur reagim zyrtar për propozimin e Metës, ndërsa për zgjedhjet lokale të cilat u mbështetën nga BE dhe SHBA dhe që u organizuan në mënyrë paqësore, pritet të jepet 'vula' e fundit nga OSBE/ODHIR edhe pse një këndvështrim i përgjithshëm u dha ditën e djeshme.