Heqja e barrierave tregtare Shqiperi-Kosove

2019-07-03 0

Bizneset e Shqipërisë dhe Kosovës kërkojnë që qeveritë e të dy vendeve të punojnë për të hequr barrierat tregtare që ekzistojnë për sipërmarrjen.

Në një konferencë për shtyp Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë e cila ka statusin e koordinatores së Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar u kërkoi ndërmarrjeve në të dy vendet që të sjellin problemet që ekzistojnë në çdo treg. Ai nënvizoi se dhe pala e biznesit shqiptar ndeshet me barriera në tregun e Kosovës.

?Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar gjykon që kjo situatë problematike jo vetëm që nuk i shërben krijimit të një klime bashkëpunuese dhe ndërvepruese ndërmjet sipërmarrjeve të vendeve tona, por kjo klimë konfliktuale i largon më shumë sipërmarrjet dhe qytetarët e dy shteteve dhe një kombi.?

?Politika e dy vendeve tona duhet të orientohet drejt ekonomisë. Është e rëndësishme që këto sinjale të mos jepen më, por dy qeveritë tona të ulen dhe jam i bindur që brenda datës 30 Korrik, qeveritë tona të dalin me një plan veprimi. Barrierat janë të dyanshme.?

Nga ana e saj, qeveria e Kosovës ka kërcënuar që nëse Shqipëria nuk zgjidh disa çështje tregtare për barazinë e të bërit biznes në Shqipëri do të vendosë reciprocitetin për produktet që vendi ynë eksporton më shumë drejt Kosovës. Ata kërkojnë të mos vendoset tarifë e lartë doganore te patatja, të ketë trajtim të barabartë fiskal për birrën dhe të lejohet importi i miellit për të njëjta standarde si për sipërmarrjet shqiptare. Po ashtu ata kërkojnë ulje të tarifës së skanimit dhe asaj të kalimit në rrugën e Kombit.

Tv Klan