Report TV - Vijojnë procedurat për shkarkimin e presidentit, Balla: Meta të lirojë zyrën

2019-07-03 0

Partia Socialiste vendosi që Komisionin hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ta drejtojë Ulsi Manja, i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Komisioni do të ketë nëntë anëtarë nga shumica dhe 5 nga opozita. Komisioni do të shkojë për votim në Kuvend në datë 8 Korrik në orën 18:00, pra ditën e hënë, të javës që vjen. Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh i vendosur për ngritjen e komisionit. "Në zbatim të plotë të Kushtetutës jemi në fazën kur është shqyrtuar nga komisioni i Ligjeve nisma e 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit Meta. Në këtë fazë raporti i shkon Kuvendit, kishim një diskutim për këtë cështje. Sipas rregullores, Kuvendi diskuton raportin dhe në rast se miratohet procedura vijon më tej dhe me miratimin e raportit ngrihet komisioni hetimor për evidentimin e shkeljeve dhe më pas komisioni paraqet në Kuvend raportin përfundimtar që në rast se merr mbështetjen e 94 deputetëve miraton shkarkimin dhe certifikimin e bën Gjykata Kushtetuese. Të tre grupet parlamentare do të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision. Kjo kërkesë që sa më shumë ditë kalojnë aq më kuptimplotë bëhet" tha ai.