Dumreja, destinacioni i rizbuluar turistik

2019-07-01 2

Po të dëgjonin Sami Frashërin, sot Belshi do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Kjo mbeti një ëndërr e tij, por zona është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët.

Qyteza e vogël buzë liqenit me të njëjtin emër, është qendra e Dumresë, zonë që numëron 84 liqenet karstike të vendosura në pllajë.

Është vetëm 25 kilometër larg Elbasanit. 25 mijë vizitorë ditorë zgjodhën Dumrenë në 2018, ndërsa 45 mijë janë regjistruar në bizneset e zonës vetëm në 6 muajt e parë të 2019-ës.

Ninfa e Liqenit, zambakët e ujit dhe mulliri i vjetër i japin mikpritjen e parë vizitorëve. Vëmendjen ua merr edhe pedonalja e re dhe moli buzë liqenit.Tre kilometra nga Belshi gjendet liqeni i Seferanit. Bukuria e tij thonë se magjepsi jo vetëm njerëzit, por edhe Perënditë.

Ishte viti 1974 kur një grup fëmijësh teksa laheshin në liqenin e Seferanit bënë një zbulim të madh jo vetëm për zonën e Dumresë, por për qytetërimin e lashtë. Foltorja e Afërditës është një tjetër destinacion turistik i kësaj zone.

Përballë saj, edhe Mali i Gradishtës fsheh një vendbanim ilir. Dumreja ofron shumë, po vizitorët janë ditorë. Mungojnë mjediset akomoduese. Janë vetëm 2 bujtina që ofrojnë gjithsej 7 dhoma. Liljana dhe Fatmiri, çifti i inxhinierëve tashmë në pension, janë nga të parët që hapën një bujtinë në Dumre. Thonë se 2000 vizitorët që pritën përgjatë 1 viti morën me vete dashurinë dhe bekimin e natyrës.

Me prioritet në këtë zonë shihet edhe agroturizmi, që veç gatimit bio po bën pjesë të ofertës edhe sportet në natyrë. Nga një zonë bujqësore, Dumreja tani ka zbuluar turizmin, me përparësi natyrën, kulturën dhe historinë.

Tv Klan

Free Traffic Exchange