Është hapur Bypass-i i Fierit, i cili njihet edhe si nyja kryesore sa i takon qarkullimit në drejtim të jugut të vendit.
Segmenti në fjalë bën të mundur lidhjen e tre akseve Lushnje-Fier, Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, por njëkohësisht bën lehtësisht më të aksesueshëm bregdetin e jugut.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato inspektuan këtë segment rrugor.
Ministrja Balluku bëri të ditur se ndërtimi i këtij aksi dhe vendosja në funksion shkurton me 35 minuta distancën me Vlorën teksa shtoi se në bashkëpunim edhe me policinë rrugore janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e trafikut.
?35 minuta më pak na duhen për të shkuar në Vlorë. Policia rrugore ka marrë të gjitha masat për të siguruar gjithçka?, deklaroi Balluku.
Përfaqësuesi i kompanisë që po realizon punimet garantoi se në muajin nëntor të këtij viti do të vihet në funksion edhe korsia tjetër e këtij aksi, ndërsa e gjithë vepra do të jetë plotësisht e përfunduar, ashtu siç parashikon kontrata, në shkurt të vitit të ardhshëm.
?Në nëntor hapet dhe tjetër, domethënë për 28 nëntorin për në Vlorë i kemi të dyja? Shumë mirë?, u shpreh kryeministri Rama.
Bypass-i i Fierit, ka një gjatësi prej afro 22 kilometrash. Brenda dy javëve pritet të përfundojnë punimet edhe për vënien në funksion të kryqëzimit të Levanit i cili do të bëhet të mundur kalimin në këtë aks rrugor të mjeteve të cilat lëvizin në drejtim të Tepelenës dhe anasjelltas.
Projekti i Bypass-it të Fierit parashikon gjithashtu edhe ndërtimin e rrugëve dytësore gjatë gjithë gjatësisë në të dyja anët e rrugës.