Një 51-vjeçar nga Shkodra ra në prangat e policisë dhe një tjetër u shpall në kërkim si pjesë e operacionit të gjerë policor të Europolit ?Goldfinger?, të shtrirë krahas vendit tonë edhe në Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi e Slloveni.
I arrestuari është Astrit Beqiri. Ai besohet se është koka e grupit të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë e heroinë.
Aksioni policor në Shqipëri u përqendrua në Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku u sekuestruan në rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete dhe 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.
Por aktiviteti i kësaj organizate kriminale ishte shumë më i gjerë. Në total ajo ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së.
42 persona u arrestuan në të gjitha vendet, u sekuestruan 40 kg kokainë, mbi 600 mijë euro, armë zjarri e municione, si edhe disa automjete dhe objekte te ndryshme.
Sipas policisë së Shtetit, operacioni ka nisur në Danimarkë dhe është koordinuar nga Europol.