Report TV - Prapaskena/ 5 anëtarët e Kolegjit i zgjodhi Nishani, njëri i dha Bashës bashkinë në 2011

2019-06-26 2

Opozita joparlamentare ka nisur një ofensivë sulmesh ndaj Kolegjit Zgjedhor pas vendimit për konfirmimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe paligjshmërinë e dekretit të Presidentit Ilir Meta për zhbërjen e zgjedhjeve. Në shënjestër të sulmeve janë pesë anëtarët e turpit gjykues Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Shkreli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj, të cilët votuan 5 me 0 në favor të zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor. Sipas PD-LSI Kolegji Zgjedhor është kapur nga Edi Rama, përmes presionit me anë të Vetingut, duke nënkuptuar se Rama ka kapur edhe Vetingun. Po si qëndron e vërteta? Sa e sinqertë është opozita me akuzat e saj? Apo operon me dy standarde? Kush i ka zgjedhur anëtarët e Kolegjit Zgjedhor?

Së pari, tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë zgjedhur me datën 9 dhjetor 2016, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në atë kohë me kryetar Bujar Nishanin. Anëtarët janë zgjedhur përmes shortit. Në dhjetor të 2016 u zgjodh përmes shorti edhe Gjin Gjoni. Në atë kohë, KLD, kontrollohej nga Partia Demokratike, përmes ish-presidentit Bujar Nishani dhe një grupi anëtarësh. Pikërisht për shkak të kontrollit politik të KLD, në atë kohë pati shumë polemika dhe dyshime sa i takon shortit.

Së dyti, Astrit Kalaja, ka qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 2011, kur KQZ-ja dhe Gjykata e Zgjedhjeve i dhanë Lulzim Bashës Bashkinë e Tiranës, pasi humbi garën përballë Edi Ramës në përfundim të procesit të parë të numërimit. Konflikti nisi pas përfundimit të procesit të numërimit të rregullt ku Edi Rama fitoi zgjedhjet me një diferencë prej 10 votash. Në këtë kushtet, pas urdhrit publik të PD, në atë kohë në pushtet, KQZ vendosi me një procedurë ekstraligjore të numërojë disa vota të hedhura gabim, ku edhe përmbysi rezultatin e zgjedhjeve. PS, në atë kohë në opozitë, e ankimoi këtë procedurë në Kolegj, por gjykata e zgjedhjeve legalizoi vendimin e KQZ.