Report TV -Maturantët zhvillojnë provimin e fundit/ PD: U nxorën tezat

2019-06-26 0

Sot është zhvilluar provimi i katërt dhe i fundit i maturës shtetërore, ai i lëndës më zgjedhje, duke përmbyllur kështu dhe ciklin e maturës shtetërore 2019.

Ndryshe nga vitet e tjera, maturantët kanë pasur të drejtë të zgjedhin vetëm një lëndë me zgjedhje për ta dhënë provim. Këtë vit kishte dhe një ndërthurje mes lëndëve, ku në një provim përfshihej filozofi-sociologji apo psikologji-qytetari.

Provimi ka nisur në orën 10:00, dhe ka përfunduar mbas dy orësh e gjysmë,pra në 12:30 minuta. Por ende pa kaluar një orë nga provimi, ish-deputetja Albana Vokshi, ka denoncuar nxjerrjen e tezave të provimit të ekonomisë, filozofi-qytetari dhe të historisë. Po ashtu ish-deputetja ka bërë përgjegjës ministren Shahini duke e cilësuar si të paaftë.

Ne çdo provim te zhvilluar të maturës shtetërore këtë vit, ka pasur denoncime nga ish deputet të opozitës si dhe nga vet ish-kryeministri Sali Berisha, për nxjerrjen e tezave, duke akuzuar ministren Besa Shahini.

Për akuzat e ngritura për nxjerrjen e tezave të provimit, pritet dhe një reagim i Ministrisë së Arsimit, për të qartësuar situatën.

Në shkollën Petro Nini Luarasi kanë qenë 465 maturantë që i janë nënshtruar provimit, dhe të pyetur nga Report Tv, janë shprehur se provimet nuk kanë pasur nivel të lartë vështirësie, si dhe disa prej tyre kanë pasur mundësi të vogla komunikimi.

Ndërkohë, pak ditë më parë kanë dal dhe përgjigjet e provimit të parë të zhvilluar, atij të gjuhës angleze, ku rezultuan mbetës vetëm 3.29 % të maturantëve.

Pritet qe të dalin dhe përgjigjet e tre provimeve të tjera, dhe më pas maturantet, në muajin korrik do të plotësojnë formularin A2, ku do te hedhin 10 degë, për të konkurruar ne Universitet.