Report TV - 30 Qershori/ Kolegji vendos nesër për dekretin e Metës dhe fatin e zgjedhjeve

2019-06-23 0

Pesë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor do të vendosin ditën e hënë për fatin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke i dhënë fund edhe përplasjes mes Kuvendit dhe Presidentit për ligjshmërinë ose jo të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve. Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita pretendojnë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është kushtetues dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, ndërsa shumica e konsideron antikushtetues dhe për rrjedhojë ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka njohur dekretin e kreut të shtetit, duke vijuar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor në 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita dhe Presidenca kanë kërcënuar anëtarët e KQZ me burg. Në këto kushte, Kolegjit Zgjedhor do të thotë fjalën e fundit për përplasjen e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptare. Kolegji është vënë në lëvizje nga kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri. Avokati Beqiri i kërkoi fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve çregjistrimin e Partisë së Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet. Beqiri e argumentoi kërkesën dërguar KQZ-së, se zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.

Por kërkesa u rrëzua nga KQZ-ja, me argumentin se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Në këtë kushte, Beqiri e dërgoi kërkesën në Kolegjin Zgjedhor. Gjykata e Zgjedhjeve ka vendosur shqyrtimin kërkesës në datën 24 qershor. Nëse Kolegji Zgjedhor do të pranojë ditën e hënë kërkesën e Idajet Beqiri për të çregjistruar Partinë e Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet, do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i ligjshëm dhe për pasojë nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor. Nëse Kolegjit Zgjedhor lë në fuqi vendimin e KQZ për të mos pranuar kërkesën e Idajet Beqirit, vendimi do të konfirmonte paligjshmërinë e dekretit të Metës, duke i hapur rrugë zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor. Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të shqyrtojë kërkesën përbëhet nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.

Free Traffic Exchange