Report TV -Dosja '339', deputeti i PS së dëshmon te Krimet e Rënda

2019-06-22 0

Pas përgjimeve të publikuara ditë më parë nga gazeta gjermane "Bild", Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje deputetin e Partisë Socialiste, Ilir Ndraxhi.

Burime për Report Tv konfirmojnë se ditën e enjte, Ndraxhi është paraqitur pranë organit të akuzës, ku është pyetur për llogari të hetimeve që po kryhen për dosjen 339, nga dy prokurorët Vladimir Mara e Dritan Prençi.

Emri i deputetit socialist doli në skenë gjatë një bisede të përgjuar nga Astrit Avdylaj. Ky i fundit flet me Arjan Ndraxhin, vëllanë e deputetit të PS, duke i thënë se Ilir Ndraxhi do të garojë për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se edhe pse deputeti socialist ka mohuar të ketë lidhje me persona të këtij grupi kriminal, hetuesit e kësaj çështje kanë dyshime se Astrit Avdylaj ka ndikuar që pjesë e listët së PS në zgjedhje të ishte edhe Ilir Ndraxhi.

Fillimisht, grupi i Astrit Avdylajve po hetohej për trafik droge, por përgjimet zbuluan edhe kontaktet e tyre me persona të tjerë, e zyrtarë të lartë. Pikërisht këto përgjime bënë që prokuroria të nisë hetimet për shit-blerje votash, ndërsa më herët është marrë në pyetje edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, një emër ky po i dalë në përgjimet e grupit të Shijakut.