TIRANË - Në një analizim të mediave në Ballkanin Perëndimor ka rezultuar se edhe në Shqipëri ka media që përhapin lajme të pavërteta anti-NATO. Një gjë e tillë thuhet në një raport të publikuar nga organizata Konrad Adenauer Stiftung. Raporti është realizuar nga ekspertë të huaj ndërsa thuhet se analizimi bazohet edhe në Qendrën e Komunikimit Strategjik të NATO-s (NATO StratCom COE).
Në raport janë përmendur disa media që sipas ekspertëve të huaj kanë shpërndarë lajme tendencioze ose të pavërteta në lidhje me NATO-n.
Këto media sipas raportit e tregojnë NATO si mjeti që përdor SHBA në luftë kundër botës myslimane apo si mjet gjeopolitik i interesave të SHBA në rajon. Në raport janë përmendur edhe lajmet për hapjen e bazës ajrore në Kuçovë ku disa media kanë shkruar shkrime të referuara nga mediat ruse.
Ky raport tregon cilat çështje kyçe po shpërndahen dhe pse disa prej tyre kanë marrë vëmendje. Raporti kryesisht përqendrohet në dezinformimin në Ballkanin Perëndimor, në vendet si Shqipëria, Kroacia, Mali i zi dhe gjithashtu përfshin edhe disa shembuj ndërsa përfundon me propozime për përmirësimin e situatës për rajonin e Ballkanit Perëndimor.