Pas incidenteve në Komisionet Zonale të Zgjedhjeve në vend, kanë reaguar kryetarët e Bashkive të djathta. Ata theksojnë se pas shfuqizimit të dekretit të Presidentit, ambientet që ishin vendosur KZAZ duhet të lirohen dhe të administrohen sipas ligjit nga njësia e qeverisjes vendore.
"Pushtimi i tyre me urdhër politik nga KZAZ-të apo punonjës të Policisë së Shtetit është i paligjshëm dhe në dhunim flagrant të Kushtetutës. Policia e Shtetit nuk mund të administrojë pronat e bashkive. Sipas ligjit, këtë e bën Policia Bashkiake. Policia e Shtetit e ka të ndaluar të hyjë në pronat e bashkisë, pa një kërkesë nga Kryetari i Bashkisë".
Kryebashkiakët e djathtë thonë se do të ngrenë padi penale ndaj anëtarëve të KZAZ-ve dhe të Policisë së Shtetit për "kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik", si edhe për "shpërdorim të detyrës".
E ndërsa Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Lleshaj paralajmëruan ndëshkim të ashpër ligjor për këdo që tenton të prekë materialet zgjedhore, selia blu përmes nënkryetarit Edi Paloka foli për një plan të mirëorganizuar të kreut të qeverisë përmes të cilit tha se po tentohet konflikt civil.
"Për pushtetin personal dhe për pasurinë e tij të paligjshme, Edi Rama po tregon se është i gatshëm t?i vërë zjarrin Shqipërisë, të nxisë konfliktin civil dhe vëllavrasjen mes shqiptarëve. Edi Rama dhe banda e tij, në paligjshmëri të plotë, po arrestojnë qytetarët për arsyen e vetme se ata po zbatojnë ligjin. Ky ligj është botuar në fletoren zyrtare nga vetë qeveria dhe është akti i vetëm në fuqi për zgjedhjet. Krim, kryen kushdo që refuzon apo ndalon zbatimin e ligjit, në rastin konkret, Edi Rama, Sandër Lleshaj dhe policët që sillen si banditë me uniformë".
Paloka ftoi qytetarët të ngrihen për mbrojtjen e demokracisë dhe të rendit kushtetues duke ju bashkuar protestës së opozitës ditën e premte.
Tv Klan