Në një reagim të dytë, kësaj herë nga selia blu, nën kryetari i PD-së Edi Paloka ka akuzuar se kryeministri Ei Rama po çon vendin në përplasje fizike. Duke u ndalur tek shoqërimet e militantëve të PD-së, ai tha se policia po përdoret si bandë nga ministri Lleshaj dhe kreu i qeverisë, për pushtet personal.
"Për pushtetin personal dhe për pasurinë e tij të paligjshme, Edi Rama po tregon se është i gatshëm t?i vërë zjarrin Shqipërisë, të nxisë konfliktin civil dhe vëllavrasjen mes shqiptarëve. Edi Rama dhe banda e tij, në paligjshmëri të plotë, po arrestojnë qytetarët për arsyen e vetme se ata po zbatojnë ligjin. Ky ligj është botuar në fletoren zyrtare nga vetë qeveria dhe është akti i vetëm në fuqi për zgjedhjet.
Duke përdorur mjetet represive të goditjes së qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë, Edi Rama po mbron karrigen e blerë në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe bandat në të gjithë Shqipërinë. Kjo është arsyeja përse Edi Rama dhe Sandër Lleshaj po e përdorin sot policinë si bandë kundër popullit, në shkelje të Kushtetutës, në shkelje të ligjit dhe të dekretit të Presidentit që ka shfuqizuar 30 Qershorin.
Krim, kryen kushdo që refuzon apo ndalon zbatimin e ligjit, në rastin konkret, Edi Rama, Sandër Lleshaj dhe policët që sillen si banditë me uniformë. Kjo i bën ata zyrtarisht dhe ligjërisht një bandë të armatosur, pa ligj e pa ligjshmëri. Qytetarët duhet ta dinë se çdo akt dhe thirrje për 30 Qershorin e Edi Ramës dhe i Sandër Lleshaj është antikushtetues dhe i paligjshëm.