Shtyhet gjyqi ndaj Saimir Tahirit

2019-06-21 1

Seanca e parë e gjyqit ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është shtyrë. Shkak u bë mos njoftimi i 3 ish-zyrtarëve të Policisë së Vlorës, gjithashtu të pandehur në këtë gjyq. Në këtë seancë pritej që gjykata të shqyrtonte edhe kërkesën e ish-Ministrit për gjykim të shkurtuar.

Duke folur jashtë Gjykatës për Krimet e Rënda, Tahiri tha se të kërkosh gjykim të shkurtuar nuk do të thotë që të pranosh fajësinë, por sipas tij nuk ka nevojë që ky gjyq të zvarritet më tej. Teksa e konsideroi procesin ndaj tij politik, ish-Ministri tha se ka shumë persona të cilët janë të interesuar që historia e tij zvarritet.

"Ju e dini shumë mirë që të kërkosh gjykim të shkurtuar nuk do të thotë të pranosh fajësinë. E mendova dhe e mendoj që nuk ka nevojë të zgjatet asnjë seancë më shumë, apo seancë pas seancash, nuk ka nevojë të zvarritet ky gjyq. Ka shumë të cilët janë të interesuar që kjo të vazhdojë kështu, situata të zvarritet, unë të zvarritem në seanca gjyqësore dhe nuk janë të interesuar për drejtësi. Më duket se jam i vetmi që jam i interesuar për drejtësi dhe do të vazhdoj.

"Unë kërkoj vetëm drejtësi, ndaj unë i kërkova gjykatës mundësisht t'i bëjë seancat ditë për ditë, sepse nuk besoj se ka më kohë për të humbur nga çkemi humbur deri më sot. U bënë dy vjet që zvarritet kjo histori, unë nuk e kuptoj përse, edhe pse kam dyshimet e mia për cilat arsye ka interesa që kjo histori e imja të zvarritet në një proces politik, komplet politik".

I pyetur nëse ka dyshime që edhe gjyqi ndaj tij po zvarritet qëllimisht, Tahiri tha:

"Unë di që ky proces nisi në Itali me përgjimet e Italisë që më pas erdhën në Shqipëri. Unë jam hetuar personalisht në Itali dhe prokuroria e Antimafias dhe gjykata në Itali e dhanë verdiktin e tyre në një kohë shumë të arsyeshme dhe thanë që Saimir Tahiri nuk ka pikën e lidhjes në këtë histori. Për çfarë arsye me letrat e ardhura nga Italia, prokurorisë shqiptare iu deshën 1 vit e gjysmë dhe për cilën arsye duhet të zgjatet akoma procesi në gjykatë?".

Para gazetarëve, Tahiri tha se ishte "Ministri më jetëgjatë dhe më i miri madje, në historinë e pluralizmit".

Ish-Ministri i Brendshëm akuzohet për favorizim të grupit kriminal Habilaj, në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ai përfundoi i pandehur pas 18 muajsh hetimesh bashkë me tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode, të cilët po gjykohen në mungesë pasi ndodhen në arrati.

Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 9 Korrik./tvklan.al