Punonjësit e bashkisë së Tropojës, që drejtohet nga i zgjedhuri i PD-së, Besnik Dushaj paraditen e sotme kanë shqyer derën e muzeut të qytetit duke marrë materialet zgjedhore, të cilat më pas i hodhën në rrugë. Edhe në Shkodër situata është mjaft e tensionuar. Ashtu si ditën e djeshme edhe sot militantët e Partisë Demokratike nuk kanë lejuar hapjen e derës së KZAZ nr. 2 në kryeqendrën e veriut.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi po bën gjithçka për të zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, edhe pse ky vendim u konsiderua nul nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili nga ana tjetër po vijon përgatitjet për procesin zgjedhor.
Pikërisht në këtë pikë, është krijuar një situatë e paprecedentë. Bashkia e Shkodrës e drejtuar nga Voltana Ademi e zgjedhur nga Partia Demokratike po pengon procesin, duke bllokuar një nga 8 KZAZ-të që ky qark ka. Bëhet fjalë për KZAZ numër 2, që është në Pallatin e Sportit "Vllaznia".
Ademi ka nxjerrë në terren efektivë të Policisë Bashkiake të cilët mëngjesin e sotëm, nuk kanë lejuar të futen në ambientet e Pallatit të Sportit anëtarët e KZAZ. Në mbrojtje të tyre, me kërkesë nga vetë KZAZ-ja, ka shkuar Policia e Shtetit, ku janë shënuar debate dhe tensione, por deri më tani anëtarët nuk kanë mundur të futen në KZAZ.
Të gjitha bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të opozitës jo parlamentare (PD -LSI) kanë kërkuar që të lirohen KZAZ-të pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.Këto bashki kanë deklaruar se nëse nuk do të lirohen ambientet që janë në menaxhim të bashkisë dhe po përdoren për KZAZ, atëherë do të ndërhyjë policia bashkiake.