Ka nisur puna për ndërtimin e maternitetit dhe spitalit të ri të urgjencës dhe kirurgjisë në spitalin rajonal të Kukësit.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet për rehabilitimin e kompleksit spitalor, që do të marrë një investim prej 3 milion eurosh.
?Jam shumë e kënaqur që punimet po ecin me ritme të shpejta për rehabilitimin e plotë të spitalit të Kukësit, faza e parë e të cilit ka nisur me ndërtimin e spitalit të ri të urgjencës, që përfshin dhe sallat e reja të operacionit si dhe maternitetin e ri të Kukësit? tha Manastirliu.
Duke deklaruar se ky është investimi i parë madhor pas disa dekadash, Manastirliu tha se me përfundimin e të gjithë projektit të kompleksit të ri spitalor, spitali rajonal i Kukësit do të jetë një model i spitaleve rajonale me standardet më të mira të shërbimit shëndetësor.
Gjatë inspektimit të punimeve në spitalin e Kukësit, Ministrja Manastirliu theksoi se është përmirësuar shërbimi i specializuar për banorët e qarkut të Kukësit, me ardhjen e mjekëve të rinj.
?Kur erdhëm një vit më parë në Kukës, promovuam programin e patronazhit dhe bonusit, ku mjekët specialistë nga spitalet e Tiranës vinin për të dhënë shërbim në ditë të caktuara. Sot nëntë mjekë të rinj specialistë në shërbime si gjinekologjia, anestezia, kirurgjia, nefrologjia, gastrohepatologjia, etj, janë pjesë e spitalit të Kukësit, duke ofruar shërbime cilësore, afër vendbanimit?, tha Manastirliu.
Faza e parë e punimeve që do të përfundojë brenda vitit përfshin ndërtimin e spitalit të ri të urgjencës dhe sallat e operacionit të spitalit.
Me këtë investim transformues, që në fazën e parë, përfundon edhe materniteti i ri të qytetit, me 43 shtretër, me aparatura të teknologjisë së lartë, i cili do të jetë pjesë e kompleksit spitalor, për të garantuar që nënat dhe fëmijët të marrin shërbimin shëndetësor me standardin më të mirë, afër vendbanimit. Do të vijohet në fazën e dytë me rehabilitimin e të gjithë pavioneve të spitalit të Kukësit, për të patur një kompleks spitalor modern për banorët e kësaj zone.