Ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani, ndryshe nga kryetari i tij Lulzim Basha, vendosi sot që të paraqitet në prokurorinë e Tiranës pas fletë-thirrjes për dosjen e lobimit në SHBA. Në orën 14:00 ai ngjiti shkallët e organit të akuzës së kryeqytetit që po heton cështjen prej disa muajsh për t'u njohur zyrtarisht me akuzat.
Ristani qëndroi në prokurori për më shumë se një orë, ndërsa pas daljes në një prononcim për mediat tha se nuk ka asnjë provë kundër tij dhe se akuza është e nxitur politikisht. "Nuk kam asnjë dokument që të kem firmosur, që unë të jem marrë me financa si zyrtar i PD-së.
Nuk kam asnjë bisedë me askënd brenda apo jashtë vendit që të ketë të bëjë me pagesat. Nuk kam pasur dijeni për këtë gjë, por as kuriozitet. Akuza është e ngritur politikisht, kësaj qeverie po i vjen fundi. Dhashë deklaratën time dhe unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori, akuza është e organizuar në mënyrë politike. Nuk ka prova" tha ai. Ndërsa avokati Ardian Leka shtoi se 'I kemi kërkuar nuk i kemi marrë'.
Lideri opozitar së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, por edhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.