Një ditë pasi ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian dështuan të gjejnë një konsensus për tekstin final sa i përket negociatave më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ministrat e Jashtëm të vendeve të bllokut thanë se do të finalizojnë brenda të martës konkluzionet për këtë çështje.
George Ciamba, ministër i Rumanisë për Çështjet Evropiane: Rumania, që ka presidencën e Bashkimit Europian po përpiqet për arritjen e hartimit të një teksti që të jetë angazhues dhe konstruktiv dhe njëkohësisht të ruajë ekuilibrat strategjikë dhe rëndësinë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Europian. Të gjithë kemi folur për marrëveshjen e Prespës.
Enzo Moavero, ministër i Jashtëm i Italisë: Konkluzionet nuk arritën të aprovoheshin nga ambasadorët e përhershëm, por këtë gjë duhet t?a bëjmë sot. Çështja është mbi të gjitha proçeduriale lidhur me votimin e Bundestagut pas verës dhe me procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ndërsa Michael Roth, ministri gjerman i Shtetit për Çështjet Europiane tha se vendet anëtare do të analizojnë raportet e Komisionit bazuar ne zhvillimet pozitive në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.
"Një vit më parë, këtyre dy vendeve u dhamë detyra shtëpie, të cilat sipas mendimit tim tashmë janë kryer. Maqedonia e Veriut ka arritur diçka historike me marrëveshjen e Prespës, e cila mund të shërbejë si shembull për rajonin lidhur me guximin dhe angazhimin e treguar për pajtim pas një konflikti prej gati tre dekadash. Ne duhet t?a shpërblejmë këtë, përndryshe Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë një pjesë të besueshmërisë së tij. Qëndrimi ynë është që të vazhdojmë diskutimet në mënyrë që të hapim negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur."
I pyetur lidhur me një dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut, ministri Roth ka treguar qartë se vendimi për të dyja vendet pritet të merret në Tetor pasi raportet e zgjerimit u dorëzuan shumë vonë dhe Bundestagu nuk kishte kohë të mjaftueshme për t?i shqyrtuar raportet.
Tv Klan