Prokuroria e Tiranës ka vendosur shoqërimin e detyrueshëm të kreut të PD-së Lulzim Basha, nëse ky i fundit nuk paraqitet më 20 qershor në orarin e përcaktuar. Urdhri i Prokurorisë i është drejtuar Policisë së Tiranës, e cila do të bëjë shoqërimin e detyrueshëm të liderit demokrat, në rast se Basha do të refuzojë sërish të shkojë.
Basha duhej të paraqitej si i pandehur mëngjesin e së hënës në orën 09:00 në Prokurori, ku do të njihej zyrtarisht me akuzat lidhur me çështjen e financimit rus për lobimin në Shtete e Bashkuara të Amerikës, por ai refuzoi të shkonte.
Në një reagim shpërndarë nga zyra e shtypit, Basha argumentoi mosparaqitjen e tij në organin e akuzës, se më parë duhet të njihej me faktet që janë mbledhur nga hetimi dhe se vetëm atëherë do të ishte i gatshëm të shkonte.