Bardhi: Lleshaj takoi në zyrën e tij shoqëruesin e Bashës, i tha se rrezikohet lideri demokrat

2019-06-18 0

Partia Demokratike flet për një takim që ministri i Brendshëm ka pasur në zyrën e tij me punonjësin e gardës që njëherësh është edhe shoqërues i kryedemokratit Basha, takim në të cilin Sandër Lleshaj - gjithmonë sipas PD-së, i ka thënë gardistit Feim Dollapi, se liderit demokrat Lulzim Basha i kanoset rrezik.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi në një letër dërguar ministrit të Brendshëm thotë se Feim Dollapi, punonjës i Gardës së Republikës, me detyrë shoqërues i kryetarit të PD-së Lulzim Basha, e ka informuar sekretarin e PD-së, se ka pasur një takim me ministrin Lleshaj në zyrën e këtij të fundit. Sipas Bardhit, gardisti i ka treguar sekretarit të PD-së, se Lleshaj i ka folur për rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit demokrat Lulzim Basha. Sipas gardisit, cituar në letrën e Bardhit, ministri Lleshaj i ka kërkuar që shoqëruesi i liderit të opozitës, ta informojë verbalisht nëse Basha vlerëson se kërkon masa shtesë sigurie.

Takimi sipas Bardhit ka ndodhur të premten në orën 15:00.

Bardhi thotë se ministri duhet t'i informojë zyrtarisht, ndryshe do ta konsiderojnë manipulim për qëllime politike duke theksuar se nëse rreziku që i kanoset Bashës rezulton i pavërtetë, atëherë Lleshaj do të mbajë përgjegjësi. "Duke pasur parasysh rrethanat kur dhe si është zhvilluar ky takim dhe shkeljen e standardeve ligjore dhe institucionale nga ana juaj në trajtimin e informacionit që pretendoni se posedoni, përforcohet dyshimi se qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhimi i kryetarit të opozitës", thotë Bardhi.

Në letër, Bardhi i thotë Lleshajt, se nëse një rrezik i tillë do të ekzistonte, ministri duhej ta trajtonte këtë informacion në rrugë institucionale, tek drejtuesit e Gardës së Republikës. Sipas Bardhit, nëse ka rrezik për sigurinë e Bashës apo jo, nuk mund ta vlerësojë një punonjës i thjeshtë i gardës, as vetë Basha që sipas ligjit gëzon mbrojtje.

Në përfundim, Bardhi i shkruan Lleshajt se takimi që ka bërë me shoqëruesin e Bashës është jashtë praktikës ligjore.

"Me këtë qëndrim ju keni shkelur cdo procedurë dhe cdo mënyrë institucionale të trajtimit të kësaj çështje", përfundon letra e Bardhit dërguar ministrit të Brendshëm.

Free Traffic Exchange