Më shumë se dy muaj pas super-grabitjes së 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit, policia, me vendim gjykate, konfiskon rreth 1 milionë euro pasuri në pronësi të Admir Murataj, organizatorit të grabitjes që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, dhe familjarëve të tij, konkretisht vëllait, Cen Murataj.
U sekuestruan vila e tyre tre katëshe e ndodhur në Prezë të Tiranës, toka në afërsi të Saukut, një garazh i blerë në vitin 2019, apartamente, njëri prej të cilëve në Sarandë i blerë 90 mijë euro, 9 makina luksoze, që në total vlera e pasurive të sekuestruara arrin rreth 1.5 milionë euro.
Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ndërkohë policia ka dyshime se ata kanë prona të tjera të cilat i kanë regjistruar në emër të personave të tjerë, për të cilat po punohet të identifikohen - siç thekson policia.
Nga pronat e sekuestruara, disa janë në pronësi të vetë Admirit, dhe një apartament në pronësi të bashkëshortes së tij, Albana. Ndërkohë, makinat e konfiskuara janë në pronësi të vëllait të Admirit, Cen Murataj.
Fillimisht sekuestrimi i këtyre aseteve u bë mbi dyshimet se vinin nga aktiviteti kriminal.
Admir Murataj mbeti i vrarë më 9 Prill të këtij viti pas supergrabitjes së 4.6 milionë eurove brenda pistës së aeroportit Nënë Tereza. Murataj akuzohet edhe për 3 grabitje të tjera parashë të bankave të nivelit të dytë.Njoftimi i Policisë së Shtetit
Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Departamenti i Policisë Kriminale në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, kanë bërë sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të cilat i përkisnin shtetasve A. M., Sh. M. dhe C. M., dhe konkretisht:
Vilë 3 - katëshe e ndodhur në Prezë, Tiranë, me një sipërfaqe totale ndërtimi 300 m2 në emër të shtetasit A. M.
Tokë truall me sipërfaqe 600.3 m2 e shtetasit A. M., ndodhur afër Saukut,
Garazh me sipërfaqe 23 m2, në emër të shtetasit A. M., blerë në vitin 2016
Apartament me sipërfaqe 100.5 m2, në emër të shtetasit A. M.
Tokë truall, në emër të shtetasit A. M.
Apartament banimi në Sarandë, i porositur në datë 05.07.2012 tek një shoqëri ndërtimi, kundrejt shumës 90 000 euro.
Apartament, me sipërfaqe 71 m2, në emër të shtetases A. A.
9 automjete të llojeve të ndryshme relativisht të shtrenjta.
Vlera e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 1,5 milion euro.
Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Po punohet për identifikimin e pasurive dhe aseteve të tjera që kanë këta shtetas, por që nuk i kanë të regjistruar në emër të tyre.