Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nesër në orën 09:30 është thirrur në Prokurorinë e Tiranës pasi do të njihet zyrtarisht me akuzën si i pandehur për lobimin rus në SHBA në periudhën zgjedhore të vitit 2017. Nga Pogradeci, Rama u shpreh sot se opozita po bën çmos që negociatat të mos hapen me Bashkimin Europian, pasi kanë frikë nga drejtësia e re. Duke iu referuar, dosjes së lobimit rus, kryeministri tha se Basha nuk është më i dyshuar, por i akuzuar.
"Arsyeja pse duan ta bëjnë Shqipërinë zhele për të mos hapur negociatat, është se ata e dinë se cfarë vjen. Vettingun nuk e ndaluan dot. Nuk mjafton pastrimi, pasi kur fillon negociatat në tavolinë ke dy kapitujt e parë dhe BE-ja të thotë urdhëroi kapitujt e drejtësisë. Ata e dinë mirë këtë, historia e vendeve që kanë hyrë në BE, duhet të provojnë që janë shtete të së drejtës. Po ku e përballon dot Saliu këtë situatë, po Iliri, po Lulëzimi që nuk e di sa vite ka që bën prokurorin LIVE dhe tani nuk është i dyshuar, por i akuzuar, si do e përballojë këtë? Prandaj fallxhorja punon ditë natë që rruga të mbyllet" tha ai.
Lideri opozitar së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, por edhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.
Shqiptarja.com siguroi shkresën e firmosur në datë 12 qershor nga prokurorët e çështjes Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kole Hysenaj, ku theksohet se nëse Basha nuk paraqitet ditën e hënë (nesër) në orën 09:30 në prokurori do të bëhet shoqërimi i detyrueshëm.
Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga SHBA. Lulzim Basha dëshmoi në 25 mars në prokurorinë e Tiranës për rreth një orë për lobimin në SHBA (lexo ketu). Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.