RTV Ora - Gjiknuri prezanton Goron në Himarë: Vazhdojmë projektet e investimeve

2019-06-16 0

#rtvora

Drejtuesi i PS-së për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me banorë të Himarës ku prezantoi Jorgo Goron si kandidat për një tjetër mandat në krye të bashkisë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Gjiknuri u ndal edhe tek situata politike në vend duke këmbëngulur se tanimë është momenti që qytetarët të shprehen me votë në 30 Qershor duke respektuar Kushtetutën dhe ligjshmërinë. Bojkoti i zgjedhjeve nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj në vlerësimin e Gjiknurit është thjesht frika nga rezultati i zgjedhjeve.

?Për herë të parë po ndodh në Shqipëri që njëra palë ka braktisur fushën e lojës. Jo për fajin tonë sepse nuk kishim ne dëshirë që opozita të braktiste zgjedhjet por ne nuk mund të bëjmë eksperimente me zgjedhjet në Shqipëri. Ne ofruam çdolloj alternative dhe Kryeministri Rama ka qenë i hapur për dialog për gjëra për të cilat mund të bëhet kompromis. Opozita e ndodhur në kushte paniku dhe duke mos dashur të përballet me zgjedhjet, për hallet e problemet e veta ka dal me kartën për të destabilizuar vendin. Përkundër thirrjeve ndërkombëtare për dialog dhe hyrje në zgjedhje, ata kanë zgjedhur rrugën radikale. Ne jemi të detyruar të shkojmë në zgjedhje sepse nuk ka mundësi tjetër?, theksoi Gjiknuri.

Më tej, Gjiknuri u ndal tek projektet e investimeve ku nënvizoi se kjo zonë është ndër përfituesit më të mëdhenj deri më tani ndërsa në 4 vitet e ardhshme do të çohen përpara investime të reja.

?Ka nisur puna për ujësjellësin dhe ky është një investim i madh që zgjidh përfundimisht dhe çështjen e kanalizimeve?, u shpreh ai.

Gjiknuri foli dhe për çështjen e zgjidhjes së problematikave me pronat, një ndër shqetësimet kryesore në Himarë.

?Sfida që mbetet është çështja e pronave dhe unë jam i azhornuar me këtë. Ligji i ri për kadastrën do të hapë hapësira të reja për të zgjidhur shumë probleme të trashëguara për pronën. Personalisht kam kontribuar për të sjellë disa shërbime në Himarë. Premtuam zyrën e Hipotekës dhe u realizua, zyra e shërbimeve të transportit u realizua. Ju e meritoni sepse është Bashki me potenciale të mëdha?, nënvizoi Gjiknuri.

Kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro i cili garon për një tjetër mandat kërkoi votën e qytetarëve për të çuar përpara transformimin e nisur në këto vite.

?Falë punës së bashkisë, të gjithë punonjësve dhe administratorëve të njësive ne jemi këtu sot sëbashku me ju për të garuar për 30 Qershorit. Është një vlerësim që i bëhet punës sime, punës së Bashkisë dhe na jep përgjegjësi për të vazhduar më tej atë që kemi filluar. Do vazhdojmë të ndryshojmë infrastrukturën turistike si për ujin, ashtu sikurse me sheshet dhe shëtitoret siç është ajo e Borshit. Gjithashtu lidhja e gjithë Bashkisë dhe njësive të saj përmes Rrugës së Lumit të Vlorës. Do realizojmë atë që kemi premtuar, Bashkinë më të mirë turistike të Shqipërisë dhe zemrën e turizmit shqiptar?, u shpreh Jorgo Goro.

Për më shumë lexoni në:
http://www.oranews.tv/article/gjiknuri-prezanton-goron-ne-himare-vazhdojme-projektet-e-...

Free Traffic Exchange