Report TV -Studentët përfaqësues në universite, Xhemollari: Mungon rregullorja, proces i parregullt

2019-06-12 4

Me datën 26 dhjetor 2018, Këshilli I Ministrave ka nxjerrë Vendimin nr.782 në lidhje me përfaqësuesin e Studentëve në Bordet e Administrimit . Me datën 14 janar, Ministria e Arsimit u ka kërkuar Universiteteve që të nisin menjëherë procedurat për hapjen e thirrjeve për kandidatët e interesuar dhe mbylljen procesit të zgjedhjeve, ku në përfundim të tyre studentët do të përfaqësoheshin në këto borde me një anëtarë.

Por, edhe pse kanë kaluar 5 muaj nga ky udhëzim, në shumicën e Universiteteve në vendin tonë ende nuk ka një emër zyrtar që duhet ta vendoste Ministria e Arsimit.

Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Aktualisht të 12 Institucionet e Arsimit të Lartë janë plotësuar me anëtarët përfaqësues te Ministrisë se Arsimit, Sporti dhe Rinisë (MASR), përveç anëtarëve të përzgjedhur nga studentët. Procesi i përzgjedhjes për anëtarët e bordeve të administrimit nga studentët ka përfunduar vetëm Universitetin e Arteve, Universitetin Bujqësor në Tiranë dhe Universitetin "Ismal Qemali" në Vlorë.

Nga ana tjetër, disa universitete kanë mbaruar procesin e zgjedhjeve. Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës, dhe Universiteti "Luigj Gurakuqi" në Shkodër në faqet e tyre zyrtare shkruajnë se zgjedhjet kanë përfunduar dhe 3 emrat më të votuar nga studentët janë dërguar në Ministrinë e Arsimit e cila zgjedh njërin nga 3 personat më të votuar.

Përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare, Rigels Xhemollari, është shprehur për Report Tv se ky proces në tërësi është një proces i parregullt dhe shkak për këtë është bërë mungesa e një rregulloreje të qartë për këto zgjedhje.

?Zgjedhja e anëtarëve të bordeve të Administrimit nga përfaqësuesit e studentëve, ka qenë një nga proceset më fiktive të të gjithë Paktit për Universitetin. E para, është një proces që është shtyrë dy apo tre herë dhe akoma nuk ka mbaruar, dhe duhet të mbaronte brenda muajt mars. Nuk ka pasur një rregullore për procesin, çfarë ka sjellë mungesa e rregullores. Mungesa e rregullores, së pari ka sjellë që këta kandidatë të emërohen sipas Kodit të Procedurës Administrative. Që do të thotë, nëse janë në garë 3 kandidatë, sado vota të marrin nga studentët Ministria e Arsimit ka të drejtë të zgjedhë njërin prej tyre, pavarësisht votave që ata kanë marrë?-shprehet Xhemollari.

Gjithashtu, në një dokument të siguruar nga Report TV që mban datën 05 Qershor 2019, Ministria e Arsimit nuk e ka njohur procesin e zgjedhjeve në Universitetin Politeknik të Tiranës, pasi të tre fituesit janë pjesë e Stafit Akademik të këtij universiteti, dhe sipas ministrisë kjo gjë cenon balancën e përbërjes së Bordit të Administrimit dhe zgjedhjet duhet të ribëhen./Përgatiti Isa Myzyraj

Free Traffic Exchange