Provimi i dytë i maturës/ Humb ndjenjat një gjimnazite! PD denoncon: Teza doli, ky është krim!

2019-06-12 0

36 mijë e 412 maturantë zhvilluan sot provimin e dytë të maturës shtetërore, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në 205 shkolla të vendit. Gjimnazistet u paraqitën që në orët e para të mëngjesit pranë shkollave të tyre për të kryer procedurat paraprake, ndërsa provimi nisi në orën 10 të paradites, deri në orën 12 e 30.

Teksa gjimnazistët prisnin të emocionuar nisjen e provimit, në gjimnazin Ismail Qemali në kryeqytet, një prej maturanteve humbi ndjenjat. Ajo e cila mori ndihmën e parë me shpejtësi për tu futur sërish në provim edhe pse me vonesë.

Pas mbarimit të provimit i cili zgjati 2 orë e 30 minuta, për shumicën e gjimnazistëve niveli i vështirësisë së provimit të Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë ishte i lartë.

?Ishte më i vështirë sec e prisnim. Shpresojmë të dalim mirë. Më shumë vështirësi hasëm te pjesa e Gjuhës Shqipe?, shprehen maturantët.

Në ambientet pranë gjimnazeve në kryeqytet nuk mungonin as prindërit e maturantëve, të cilët qëndronin që prej orëve të para të mëngjesit në mbështetje të fëmijëve të tyre.

?Gocën e kam ekselente dhe pres që të marrë notë të mirë. Kemi që në mëngjes që presim të mbarojnë?, thanë prindërit.

Pak minuta pas nisjes së provimit, ish-deputeti demokrat publikoi disa teza provimesh, për të cilat pretendon se janë të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë që u zhvillua ditën e sotme. Sipas ish-deputet Boçi ky është një skandal dhe një krim shtetëror i papranuar. Sa i përket Ministrisë së Arsimit, ende nuk ka një reagim lidhur me këto pretendime të ish-deputetit demokrat.