Kryetari i Njësisë Administrative të Kotës mbeti i vrarë teksa ndërhyri për të shmangur një konflikt mes dy personave në fshatin Petë.
60-vjeçari Argjile Gjoka mbeti i vrarë me një plumb në krahëror. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur 19-vjeçari Arif Bejtaj, kushëri me autorin e dyshuar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim Mersin Bejtaj, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë drejt 60-vjeçarit. Gjoka u transportua me urgjencë në spital, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra duke ndërruar jetë.
Sipas hetuesve, Gjoka ka ndërhyrë për të shuar një sherr ku u përdorën edhe armët, për çështje pronësie, midis disa banorëve të fshatit Petë, por plumbi e ka prekur aksidentalisht, pasi nuk ishte ai shënjestra.
Një vit më parë në këtë njësi u vra paraardhësi i tij, 63-vjeçari Fatmir Hodo. Për ngjarjen në atë kohë u arrestua 44-vjeçari Admir Delaj nga fshati Gumenicë. Ai e qëlloi Hodon me armë gjahu pas një bisede të tensionuar për çështje pronësie, në hyrje të një lokali ndërsa të dy kishin konsumuar pije alkoolike sëbashku.
Tv Klan