Sipas Presidentit, kryeministri Edi Rama me përgjegjësinë e detyrës që ka duhej të tregohej më fleksibël dhe të mos shprehte atë vendosmëri se 30 qershori nuk lëviz. Ai tha se anulimi i zgjedhjeve është një vendim mjaft kurajoz për të ulur palët në dialog. Ai tha se nuk dëshiron që në rast të mundshëm të shënoheshin edhe viktima nga përplasje më 30 qershor, dhe përgjegjësia të binte mbi të se përse nuk e parandaloi situatën. Kreu i shtetit e quajti shantazh reagimin e mazhorancës pas vendimit të tij për të anuluar 30 qershorin.
"Kemi kohë për t'i konsumuar të gjitha hap pas hapi. Unë dua tu siguroj që ky akt është bazuar edhe ky në një konsensus, jo si të mëparshmit ku zhvillohej një dialog pastaj zgjidhej kriza, por përsëri mbi një konsensusin e dy palëve për të mos dialoguar, pretendimi i Ramës se 30 qershori nuk lëviz dhe pretendimi i Bashës se me Ramën si kryeministër nuk ka zgjedhje. Mendoj se Rama duhet të tregonte më shumë fleksibilitet. Kryeministri është përgjegjësi shumë e madhe. Edhe ata mijëra shqiptarë që protestojnë janë të Shqipërisë, ku ai është kryeministër, paguajnë taksa dhe kanë kërkesat dhe pretendimet e tyre dhe duhet të respektohen dhe jo të fyhen dhe denigrohen. Përpjekja ime ishte jo vetëm për të parandaluar të keqen që mund të ndodhte, por edhe për një dialog. A do ta zgjidhë? Është një përpjekje mjaft kurajoze, por e kam bërë me bindje që tu japë të gjithë palëve një mundësi që Shqipëria të vijojë në rrugën e integrimit. Në rast se do të kishte ndodhur diçka në datë 8 të gjithë do të thoshin, shumë vonë zoti President, çfarë bërë pritej që të shënohej edhe një viktimë?! Pa një vullnet serioz të dy palëve në radhë të parë të qeverisë se duhet të japë garanci për zgjedhjet dhe për fat të keq me mënyrën që ka reaguar edhe iniciativa e fundit kundër presidentit është shantazh dhe presion që i bëhet institucionit më të lartë, kryetarit të shtetit sepse bën një përpjekje për të dhënë mundësi që kolonat e republikës së Shqipërisë të mos tronditen dhe të mos rrëzohen", u shpreh Presidenti.