Report TV -Siguria ushqimore/ Qytetarët të shqetësuar për produktet që konsumojnë

2019-06-11 0

Me rritjen e temperaturave kujdesi ndaj produkteve që konsumojmë është dhe më i lartë. Në këtë periudhë siguria ushqimore dhe cilësia e produkteve vihet shpesh në pikëpyetje pasi jo pak herë janë konstatuar probleme serioze, probleme që lidhen kryesisht me higjienën, vështirësinë për të ruajtur të freskëta produktet dhe kushtet në të cilat ato tregtohen.

Tregtarët shprehen për Report tv, se kanë nisur të marrin masat e para, duke hequr nga tregjet produkte që nuk u rezistojnë temperaturave dhe të marrin sasi më të pakët. Ndërsa qytetarët vazhdojnë të jenë të shqetësuar sa i përket sigurisë ushqimore dhe produkteve që konsumojnë.

Sakaq, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar ditën e sotme rreth 20 ton lëngjesh frutash të cilat vinin nga Serbia për tu tregtuar në Shqipëri. Produkteve u kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma e kohës deri në datën e skadimit, dhe për rrjedhojë nuk plotësonin kërkesat ligjore për sigurinë e konsumatorit. Ndërkohë, janë kthyer në vendin e origjinë edhe dy ngarkesa të mëdha kripe për përdorim të përditshëm.