Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali ka folur pas mbledhjes së kryesisë së PS-së duke thënë se në këtë mbledhje përveç të tjerave është diskutuar edhe për banorët e prekur nga tërmeti në Korçë.
Spiropali ka thënë se Partia socialiste do ti bashkohet fondit të solidaritetit për të prekurit nga tërmeti në Korçë. Konkretisht sipas Spiropalit PS do të nxjerrë me vete një fond prej 70 milion lekësh që do të shkojnë për banorët e Floqit, Qafëzezit dhe Vidohovës.
"Së pari, ne vendosëm që Partia Socialiste ti bashkohet fondit të solidaritetit për banorët e prekur nga tërmeti në Qarkun e Korçës dhe konkretisht të alokojë një fond prej 70 milion lekësh. Bashkitë socialiste së bashku me biznesin, të cilit i është thirrje për t?u bashkuar në këtë fushatë solidariteti kanë kontribuar dhe do të ndërtojnë shtëpitë e banorëve të Floqit, të Qafëzezit, Vidohovës apo fshatrave të tjerë. Partia Socialiste ka vendosur ti bashkohet kësaj fushate duke hequr nga fondet e saj dhe duke ia shtuar fondin e solidaritetit" ka thënë Spiropali.
Kujtojmë se një kërkesë për fonde e bëri pak ditë më parë kryeministri Rama në një takim me banorët e Tiranës ku thoshte se duhej të kontribuonin edhe bashkitë socialiste me së paku një shtëpi të ndërtuar për çdo bashki.
Ndërkohë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur kësaj thirrje madje duke thënë se do të kontribuojë në ndërtimin e 4 banesave.