Që nga data 22 maj, forcat e FRONTEX, janë vendosur ne kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo për të bërë të mundur, në bashkëpunim me policinë shqiptare, kapjen e emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.
Drejtori i Kufirit, Eduart Merkaj, në një intervistë për Report Tv, ka treguar dhe numrin e emigrantëve që janë kapur duke tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, në vetëm dy javë të vendosjes së FRONTEX në vendin tonë.
"Janë 229 emigrantë të cilët kanë tentuar dhe janë kapur duke u futur në kufirin me Shqipërinë. Nga këta 137 prej tyre është bërë procedura për kthimin vullnetar të tyre, pasi kanë deklaruar që kanë dashur të kthehen vullnetarisht në Greqi, për të cilët janë bërë procedurat dhe janë kthyer në drejtim të Greqisë, ndërsa pjesa tjetër kanë kërkuar azil dhe janë trajtuar konform ligjeve", ka deklaruar Merkaj.
Po ashtu drejtori i kufirit ka shpjeguar dhe vendosjen e forcave të FRONTEX ne kufi, për të bërë monitorimin dhe kapjen e emigrantëve të paligjshëm.
"Forcat e FRONTEX-it, koleget e ardhur nga Bashkimi Europian janë të vendosura në patrulla treshe, këto patrulla janë dy punonjës te FRONTEX dhe një punonjës i departamentit te kufirit të emigracionit, oficer policie, ku në secilin prej këtyre patrullave, përgjegjës është punonjësi i policisë shqiptare. Këto patrulla operojnë në kufirin e gjelbër, por gjithashtu operojnë dhe në pikat e kalimit kufitar në KPK-të përkatëse, relativisht në Korçë dhe Gjirokastër, atje ku e kemi dhe zonën më të nxehtë" ka thënë më pas ai.
Merkaj ka treguar se marrëveshja me FRONTEX, një marrëveshje kjo e firmosur pa afat, ka sjellë disa avantazhe, mes të cilave vet pajisja nga forcat e FRONTEX, çka ka bërë që të rritet numri i punonjësve të policisë dhe patrullave të përbashkëta.