Kryeministri Edi Rama vijon fushatën në qarkun e Beratit, ndërsa sot u ndal në Skrapar për të prezantuar kandidatin për kryetar bashkie Adriatik Mema. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kemi bashkëpunuar me kryetarin aktual, të zgjedhur para katër vitesh nga radhët e LSI-së, por e sulmoi duke thënë se ka tej fryrë administratën me njerëz që nuk jetojnë në Skrapar. "Me kryetarin e bashkisë së Skraparit kemi bashkëpunuar dhe kemi bërë punë të mira, por mundësia për të bërë më tepër është në dorën tonë. Administrata është tej fryrë me njerëz që nuk jetojnë fare këtu në Skrapar dhe marrin rroga. Kush e di që është aty si mbush i topit të një partie apo një tjetër do të largohet që në datë 1 korrik. Do të përfundojmë rrugën Skrapar -Përmet. Nuk kemi bërë sa duhet për furnizimin me ujë të zonës 24 orë" tha Rama.
Më pas ai u ndal edhe te përgjimet e publikuara nga 'Bild' të bisedave mes Astrit Avdylit me Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë lokalë socialistë duke thënë se janë një arsye për të hetuar këdo që provohet që ka kryer veprimet e paligjshme. "Përgjime që janë një arsye për të hetuar deri në fund dhe për të çuar para drejtësisë këdo që provohet që ka kryer veprimet e paligjshme, që mund të merren me mend, por duhet provuar dhe që duhet të ishin kryer si hetime me kohë e me vak dhe sikur e keni parë dhe dëgjuar. Në fakt bëhet fjalë për shantazh kundër qeverisë dhe reformës në drejtësi dhe PS-së. Prokuror të diskredituar, me shumë hije në karrierën e tyre kanë preferuar që në vend që ti hetojnë dhe të veprojnë menjëherë ti mbledhin ato numra dhe ti bashkojnë në një kazan të mbyllur dhe ti dorëzojnë te PD-ja për të ndotur Shqipërinë" tha ai.