Drejtuesja e prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela doli për herë të parë në një deklaratë për mediat ku dha detaje për procedimin penal numër "339", dosjen e shumëpërfolur, nisur si hetim për një grup kriminal të trafikut të heroinës që më tej gjatë përgjimeve doli edhe përfshirja e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe disa zyrtarëve të tjerë, me dyshimin për shit-blerje të votave në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Prela tha se ka zgjedhur të heshtë deri në këto momente, pasi "një prokuror i mirë flet përmes vendimeve dhe akteve juridike". Duke e cilësuar dosjen më të madhe që është hetuar ndonjëherë në historinë e prokurorisë shqiptare, drejtuesja e Krimeve të Rënda zbuloi se në total janë 74 persona në hetim, dhe ky numër pritet të rritet.