Qeveria holandeze duket se nuk është ende e bindur për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dhe jo vetëm për Shqipërinë, por ajo nuk ka ende qëndrim të qartë as për Maqedoninë e Veriut, ashtu siç bëri edhe një vit më parë duke votuar kundër rekomandimit pa kushte të Komisionit Europian.
Qëndrimin e shprehu ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok gjatë një interpelance në dhomën e ulët të parlamentit holandez.
"Shqipëria ka ende rrugë të gjatë për të bërë. Më tepër përparim ka bërë Maqedonia e Veriut. Por ata nuk janë ende aty ku duhet. Ka ende për t?u bërë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit".
Kryediplomati holandez zhvilloi një takim edhe me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Cakaj dhe Blok nënvizuan arritjet e reformave të vendit tonë veçanërisht në fushën e drejtësisë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, për palën holandeze progresi i Shqipërisë është i padiskutueshëm.
Një tjetër mesazh pozitiv vjen nga BE. Në një intervistë për Die Welt, ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, thotë se Shqipëria ka bërë progres thelbësor në dy vitet e fundit, veçanërisht në fushën e reformës në drejtësi.
?Është koha që Bashkimi Europian të marrë një vendim mbi perspektivën e Shqipërisë në BE. Jemi mëse të ndërgjegjshëm se vendimi i Qershorit është i një rëndësie kritike për të ardhmen e vendit?, thekson Soreca.
Mbështetje të qartë lidhur me çeljen e negociatave për Shqipërinë dha Polonia. Zëvendeskryetari i Parlamentit polak, gjatë një takimi që zhvilloi në Tiranë me kryeparlamentarin Ruçi, deklaroi se vizita e tij ka për qëllim mbështetjen e hapur të procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe për të nxitur Këshillin Europian të hapë menjëherë negociatat.
Tv Klan