Report TV -Jeta në karrige me rrota pas aksidentit, nënë e bijë mes të rrugës!

2019-06-04 1

Merjeme Allko prej 6 vitesh qëndron në këtë karrige me rrota, pas një aksidenti të rëndë që ka pësuar. Jeta e saj ka përshkuar një kalvar të gjatë vuajtjesh, e shoqëruesja më e mirë e saj ka qenë vajza e saj 20-vjeçare, Fatbardha. Ato kanë veç njëra-tjetrën, pasi babai ka ndërruar jetë disa vite më parë. Jetojnë së bashku në një banesë me qira në Tiranë, por prej 6 muajsh nuk e kanë paguar qiranë. E teksa dëgjon rrëfimin e Merjemes, kupton që qiraja e papaguar nuk është asgjë para gjithë vështirësive që përjeton ajo. Merjeme ka nevojë urgjente për kryerjen e një operacioni, në mënyrë që të ecë përsëri dhe të jetë krah për vajzën e saj, e cila është më e pambrojtur se asnjëherë.

Merjemja: ?Në 2013-ën kam pësuar një aksident. Punoja në të zezë dhe ndenja 4 vite në shesh, nuk eca dot fare. Në 2017 përfitova një protezë nga Ministria e Shëndetësisë. Operacionin tjetër duhet ta bëja pas 6 muajsh, të këmbës tjetër. Jam e pastrehë, jetoj me qira kam 16 vite, e kam rritur vajzën jetime. Këtu rrimë mos na falin diçka, të hamë edhe ne, të festojmë bajramin?.

Fatbardha studion për financë. Falë rezultateve të shkëlqyera në shkollë, ajo ka arritur të fitojë një bursë të plotë, por gjendja e saj ekonomike e bën të pamundur përballimin e shpenzimeve. I trembet faktit që mund të mbesë vetëm, pa një shtëpi, dhe pa nënën e saj e cila ka nevojë për kurim.

Vajza, Fatbardha: ?Mami ka punuar për shumë vite, por u aksidentua në punë dhe tani për një operacion po qëndron në karrocë. Jemi të pastrehë, me qira jetojmë. Edhe sot që është ditë bajrami rrimë këtu për ndonjë ndihmë. Kam vetëm një apel, kush ka mundësi të vejë dorën në zemër për një operacion, për një strehë, për çfarë të kenë mundësi?.

Merjemja nuk kërkon asgjë tjetër, veçse të ketë siguri për vajzën e saj.

Merjemja: ?Kam nevojë për një strehë që të rris vajzën. E kam rritur jetime. Të ketë dhe ajo nënën se po vuan shumë dhe ajo, vetëm duke më tërhequr mua me karrocë?.

Merjemja ka nevojë për ndihmën e gjithsecilit që mundet, pasi ajo sot ndodhet në spital. Gjendja e saj shëndetësore sa vjen dhe rëndohet, ndërsa Fatbardha 20-vjecare, me një nënë të sëmurë rëndë dhe pa një shtëpi mbi kokë, ndjehet e pafuqishme për të ndryshuar fatin e saj të trisht.