Report TV - Kapet njëri nga protestuesit që dhunoi në protestë ish-bodigardin e Berishës

2019-06-04 4

Policia e Shtetit ka arrestuar njërin nga protestuesit që qëlloi me shufër hekuri në kokë ish-bodigardin e Sali Berishës dhe djalin e tij në protestën e opozitës në mbrëmjen e 2 qershorit në bulevard. Ai është Zamir Sijani 43-vjeç nga fshati Xhafzotaj i Durrësit. Report Tv sjell pamjet e momentit kur 43-vjeçari që është invalid, godet me patericë Ymer Çelën, ndërsa gjatë përleshjes rrëzohet në bulevard. Ai është një person me precedent të theksuar penal, pasi ka qenë dënuar më parë për trafik droge, mbajtje pa leje të armëve, municioneve dhe lëndëve shpërthyese.

Zamir Sijani në vitin 2005 është dënuar me 5 vite burg për trafikim lëndësh narkotike në Itali, por dënimin e ka vuajtur në Shqipëri. Në vitin 2011 në rrugën e Durrësit në Tiranë është kapur me armë zjarri pistoletë TT, por është nxjerrë nga gjykata pas tre ditësh duke u dënuar për armëmbajtje me 5 mln lekë. Policia deklaron se Sijani është identifikuar nga pamjet, të cilat i transmetoi Report Tv ditën e djeshme. Zamir Sijani së bashku me persona të tjerë goditën Ymer dhe Erjon Çelën duke u shkaktuar plagë të rënda në kokë. Tashmë 43-vjeçari akuzohet për plagosje të rëndë me dashje dhe prishja të qetësisë publike. Report Tv zbulon edhe arsyet e sherrit që përfundoi në përdorimin e shufrave të hekurit. Sherri ka nisur në momentin që një grua me flamurin e LSI-së në dorë po kalonte para Çelës dhe djalit të tij. Në këtë moment Erjon Çela mësohet se i ka thënë se 'hiqe atë flamur'.