Arrestohet në Itali shqiptari i shumëkërkuar që jetonte si boshnjak! Vrau tre vetë në '93-shin

2019-06-03 2

I kërkuar prej vitit 1993 i dënuar me burgim të përjetshëm për tre vrasje, vihet në pranga në Itali. Kjo është historia e Bardh Lula, njohur dhe me mbiemrin Luli. 49-vjeçari nga Lezha u arrestua në Itali, në listën e 33 personave më të kërkuar nga Policia në qarkun e Lezhës. Në vitin 1993 Bardh Lula ka vrarë tre persona me armë zjarri, tre kushërinj në Torovicë të Lezhës. Ngjarja e asaj kohe ndodhi për konflikte pronësie. Në vitin 1996 Gjykata e Lezhës e dënoi në mungesë me burgim të përjetshëm. Operacioni policor i koduar "Wanted 3" u bë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me homologët italianë.

Bardh Lula do të ekstradohet në Shqipëri. Ndërkohë gjatë gjithë kohës në arrati, ai kishte jetuar në itali me identitet të ndryshuar me emër të një shtetasi boshnjak.

Shqiptarja.com mëson se të vrarë mbetën tre kushërinjtë Nikoll Luka, Mark Luka dhe Pal Luka. Ata u qëlluan nga Bardh Lula tek "Kroi i Denicës", dhe pas krimit u largua në drejtim të paditur.

Operacioni i zhvilluar dhe finalizuar në Itali falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën dhe Zyrat ndërlidhëse reciproke UCI Albania në Shqipëri dhe Bari në Itali në bazë të informacioneve të siguruara më parë nga Sektori për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, për vendndodhjen dhe gjeneralitetet që përdorte i kërkuari.