Korrigjimi elektronik i matures

2019-06-03 11

Ky do të jetë modeli i fletëpërgjigjeve të pyetjeve me alternativë për provimet e maturës, që nisin në datën 7 Qershor me Gjuhën e Huaj, për të vijuar me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë më 12 Qershor dhe Matematikën në 17 Qershor. Ndërsa provimin me zgjedhje do e japin në 24 Qershor. Sipas Drejtoreshës së Qendrës së Shërbimeve Arsimore, fleta e provimit me alternativa do të korrigjohet me skaner.

"Në çdo tezë do të ketë një fletë përgjigje, maturantët me shumë kujdes do të plotësojnë në fillim testin dhe pastaj duhet të hedhin përgjigjet, pra duke mbushur një rreth të çdo pyetje përbri, njërën nga alternativat që ata e gjykojnë të saktë, pra A, B, C, apo D. Më pas këto përgjigje do të skanohen automatikisht dhe ne do të kemi një rezultat në të cilën gabimi njerëzor nga ana e korrigjuesve do të jetë zero", thotë Rezana Vrapi.

Sipas drejtuesve në MAS, vitin tjetër edhe pyetjet me shtjellim do të kalojnë në vlerësim elektronik. Këtë vit, maturantët do të kenë katër provime, me detyrim dhe me zgjedhje.