Çako për Report Tv: Të plagosurit jashtë rrezikut, ngritëm çadrat, të prekurit do të dëmshpërblehen

2019-06-01 0

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ndodhet në Kolonjë pas tërmetit që lëkundi juglindjen duke dëmtuar mbi 100 banesa, ndërsa katër persona u plagosën, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në një lidhje telefonike për Report Tv nga Kolonja, Çako deklaroi se është ngritur shtabi i emergjencave për t'u ardhur në ndihmë të prekurve.

"Një seri lëkundjesh kanë shkaktuar një serë dëmesh. Tërmeti ka qenë me epiqendër në Floq, janë 100 banesa të dëmtuara, një pjesë të banuara dhe një pjesë jo. Janë marrë të gjitha masat, është ngritur shtabi në Korçë, janë vendosur në dispozicion të gjitha mjetet nga FA dhe drejtoria e EC. Kanë qenë katër banorë që janë lënduar lehë, kanë marrë mjekim dhe janë jashtë rrezikut. Disa banorët janë sistemuar te të afërmit, por edhe në çadrat që janë ngritur. Janë marrë të gjitha masat për ushqim dhe nevojat jetike" tha ai.

E ndërsa janë vendosur në gatishmëri kapacitetet për t'u ardhur në ndihmë banorëve, Çako deklaroi se ka filluar edhe inventarizimi për dëmshpërblyer banorët që u janë shembur banesat. "Patjetër që janë organizuar grupet përkatëse që bëjnë konstatimet e dëmeve, ky është një proces që do të vijojë, pasi komisionet e vlerësimit po përcaktojnë qartë dëmet për të bërë dëmshpërblimet dhe për të sistemuar banorët. Aktualisht jam me prefektin dhe n/kryetarin e Kolonjës në Qafë Zezë ku janë konstatuar një serë dëmtimesh, por edhe në Floq ku ka qenë epiqendra" tha ai. Çadrat janë vendosur në fushën pranë fshatit Floq.