Një avari e rrymës elektrike ka shkaktuar problem në Nënstacionin e OST, Tirana 2, e cila është një nga nyjet më të rëndësishme të transmetimit të energjisë në linjën Tiranë-Podgoricë.
Ish-deputeti i LSI-së, Petrit Vasili e ka cilësuar skandal dhe ky problem, që sipas tij po mbahet i fshehtë do të shkaktojë problem me furnizimin me energji gjatë dimrit. Ky nënstacion është ndërtuar në vitin 2011 dhe për instalimin e një nënstacioni të ri, sipas Vasilit kërkon 8 muaj kohë.
"Largimi i profesionisteve në sistemin energjetik po sjell katastrofa tepër të rënda për qytetaret dhe për financat e shtetit. Arsyeja e këtij shpërthimi është se nuk reagon mbrojtja e linjës Tirana 2 - Podgorice dhe për këtë shkak tensioni kalon vlerën 445kV(....)Pasoja që bie mbi qytetaret është se gjate dimrit ata do jenë pa drita, pasi instalimi i një nënstacioni të ri kërkon rreth 8 muaj kohe. Problemi po mbahet fshehur nga qeveria", shkruan ndër të tjera Vasili.
Por nga ana tjetër, OST bën me dije se ka pasur një avari rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm, por defekti është rregulluar dhe transformatori aktualisht është në gjendje pune. Edhe nga ana e OSHEE-së ka pasur një reagim ku sqarohet se nënstacioni i Kasharit ka pasur avari, por gjithçka është kthyer në normalitet shpejt.
"Specialistët tanë ndodhen në terren për të analizuar shkaqet dhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. Kjo avari nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në furnizimin normal me energji elektrike tek konsumatorët. Investimet e kryera vitet e fundit në rrjetin e transmetimit, në bashkëpunim me partnerët tanë Ndërkombëtarë, ka bërë të mundur që OST të disponoj një rrjet të sigurt dhe fleksibël i cili garanton më së miri përballimin e këtyre situatave", njofton OST.