Ndryshime të tjera pritet të ndodhin në ligjin antiduhan. Edhe cigaret elektronike e shisha/nargjilet, nuk do të lejohen të pihen në ambiente të mbyllura. Do të hiqen nga tregu paketat me 10 cigare, e po ashtu nuk do të lejohet të tregtohen më cigaret që janë tërheqëse për të rinjtë, me shije të ndryshme. Ndërkohë, për subjektet që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme për shkelje të ligjit antiduhan, do të shkohet deri në mbyllje të aktivitet dhe heqje të licencës.
?Në frymën e Direktivës së BE si dhe Konventës Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit, me ndryshimet e pritshme ligjore, do të ndalohet duhanpirja në ambientet e mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile. Gjithashtu do të largohen nga tregu paketat me 10 cigare si dhe cigarette me shije karakteristike. Me anë të këtyre masave synojmë të mbrojmë të rinjtë dhe adoleshentët nga këto produkte që kanë shkallë të lartë varësie. Produktet novatore të duhanit që kanë hyrë së fundmi në tregun shqiptar dhe që kanë qenë tërësisht të parregulluara, si cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje do të konsiderohen produkte duhani dhe do të trajtohen si të tilla. Jemi të vendosur për të dekurajuar përdorimin e duhanit në çdo formë. Me anë të këtyre ndryshimeve ligjore forcojmë më tej masat kundër duhanpirjes, për të mos lejuar askënd të abuzojë me ligjin, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme?, tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në ditën Botërore kundër Duhanit.
Në propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë në ligjin ?Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit?, për forcimin e masave kundër duhanpirjes në ambientet e mbyllura, nëse një subjekt shkel dy herë rresht brenda dy muajve ligjin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës dhe i pezullohet aktiviteti.
Duke theksuar se Progres Raporti i fundit i Këshillit të Europës, vlerëson zbatimin e ligjit anti-duhan në Shqipëri, Manastirliu theksoi se ndryshimet ligjore që po ndërmerren janë tërësisht në funksion të shëndetit të popullatës, nisur nga fakti se duhanpirja është një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe tumorale.