Report TV -Nesër në Prokurori, 6 ish-deputetët e PD-së që dhunuan policët mohojnë akuzat

2019-05-30 0

Nuk kemi ushtruar dhunë!" Ky ka qenë qëndrimi që 6 ish-deputetët e Partisë Demokratike të cilët janë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, kanë bërë në një konferencë për shtyp.

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj tyre për dhunën e ushtruar në Drejtorinë e Tiranës më 16-shkurt ku ish-deputetët, Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Anton Frrokaj tentuan të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të Drejtorisë duke u konfrontuar fiziksht me policët.

Ish-deputeti Noka ka deklaruar sot se ai nuk ka ushtruar dhunë ndaj policëve por thjeshtë ka tentuar që të largojë ish-deputetin Strazimiri nga duart e policisë. Ndërkohë në pamjet e publikuara në mediat tregohet e kundërta, pasi Noka shihet teksa kap për fyti një nga policët.

Më pas deputetët kanë hedhur edhe akuza ndaj drejtuesve të policisë duke thënë se i kanë gjetur të dehur dhe prandaj janë konfliktuar me ta.

Kujtojmë se ditën e nesërme grupi i deputetëve do të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës për tu njohur me akuzat.